Ai do të dërgojë engjëllin e tij

Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëjë të mbarë udhëtimin tënd. Zanafilla 24,40

A e di këtë histori interesante të kohëve biblike, kur Abrahami, sipas zakonit të atëhershëm, kërkoi grua për të birin Isakun? Gjithçka ndodh fare normalisht, veçse Abrahami përmend një engjëll të cilin Perëndia do ta dërgonte në udhëtimin e gjatë me shërbëtorin e tij. Ky njeri, i cili e administronte me shumë besnikëri pasu­rinë e Abrahamit, nuk e pa asnjëherë engjëllin gjatë misionit të tij, e jo më Perëndinë, të cilin e përfaqësonte engjëlli dhe i cili luante pjesën kryesore në sfond.

Kur shërbëtori arriti te porta e qytetit të lindjes të Abrahamit, ai tha në fillim një lutje të guxim­shme: që Perëndia ta bënte atë që ishte cak­tuar të ishte gruaja e Isakut, të ishte e gatshme të merrte ujë për atë dhe për të gjitha devetë e tij. Dhe ndodhi pikërisht kështu. Është mirë ta lexosh vetë të gjithë këtë njoftim tërheqës te libri i Zanafillës në Dhiatën e Vjetër.

Vajza e bukur dhe e hirshme Rebeka, e cila kishte ardhur nga qyteti për të marrë ujë te pusi, nuk e quajti përulje të merrte ujë për dhjetë devetë e udhëtarit. Nuk do harruar se në një udhëtim të gjatë nëpër shkretëtirë një deve ka nevojë për deri 70 litra ujë; kështu që Rebeka ndërmori një detyrë të madhe, dhe e gjitha duhej bërë me krahë! Sa e gatshme ishte për të ndihmuar! Jo vetëm kaq: shërbëtori i Abrahamit vërejti se lutja e tij kishte marrë menjëherë përgjigje. Kështu, Rebeka u bë gruaja e Isakut.

A ushtroi ndikim engjëlli i Perëndisë, d.m.th. Perëndia Vetë, në këtë ndodhi? Të gjithë ata që bënin pjesë në këtë ndodhi, u bindën se ishte e dukshme ndërhyrja hyjnore (shih Zanafilla 24,40.50-52).