Steve Jobs – Çfarë mbetet prej suksesit të tij?

Vdekja e Steve Jobs tronditi gjithë botën. Humbja e këtij e vizionari është tragjike.

Steve Jobs jetoi me të vërtetë ëndrrën klasike amerikane. Filloi si dështak. Pas lindjes së tij, prindërit e dhanë për adoptim. Edhe më pas nuk i vajti fjollë. Ai ndërpreu studimet dhe filloi të grumbullonte shishe plastike dhe ishte i pastrehë.

Vetëm në vitet 80, me kompaninë e kompjuterit Apple, jeta e tij mori një kthesë. U bë dikush që ndryshoi botën. Macintosh u paraqit me një reklamë legjendare. Por jo shumë kohë më pas Steve u flak prej kompanisë që ai kishte themeluar.

Në vitin 1998 ai u kthye për të punuar përsëri me drejtuesit e kompanisë. Me iMac, iPod, iPhone dhe së fundi me iPad, Apple u bë një nga kompanitë më të mira në tregun e aksioneve. Jo më kot tani që Steve Jobs nuk është më, të gjithë po mendojnë për të ardhmen e Apple. Asnjë kompani tjetër nuk ishte e lidhur kaq shumë me kreun e saj sa Apple. Trip Chowdhry i Global Equities Research, tha rreth këtij rasti: „Apple pa Steve Jobs nuk është asgjë.  Ju mund t’u mësoni njerëzve menaxhimin, ju mund të punësoni konsulentë për këtë – por risitë e Steve Jobs kërkonin një frymëzim hyjnor“.

Pas operacionit të pankreasit në vitin 2005, Steve Jobs u tha studentëve Stanford: „Fakti se je i vdekshëm është shtysa më e fortë për mua që të marr vendime për jetën time. Kur je i vetëdijshëm për vdekjen, gjërat humbin rëndësinë. Mbetet vetëm ajo që është e rëndësishme. Të mendosh për vdekjen shmang kurthin e mendjes se nuk ke asgjë për të humbur. Gjithmonë ke qenë lakuriq. Nuk ka asnjë arsye për të mos ndjekur zemrën tënde“.

Jobs ishte i vetëdijshëm për vdekshmërinë e tij, se në këtë jetë ishte vetëm një kalimtar. Te fakti se ishte i destinuar të vdiste, ai gjente një burim që e çonte të merrte vendime të rëndësishme këtu dhe tani. Kjo është interesante, sepse ne nuk e kemi gjithmonë përshtypjen se njerëzit e suksesshëm ndihen të vdekshëm.

Jezusi paralajmëroi se suksesi dhe pasuria mund të zhduken në një çast, sepse ne jemi të vdekshëm. Duke treguar për një të pasur që po bëhej edhe më i pasur, Jezusi tha: „Por Perëndia i tha atij: ‘I marrë! Këtë natë do të vdesësh dhe kush do ta marrë atë që ke?’ Pra, kështu do të ndodhë me atë që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë“ (Luka 12 vargu 20 dhe 21)

Nuk ka rëndësi nëse je i suksesshëm në këtë botë apo jo. Jezusi tha se ajo që është e rëndësishme është nëse je i pasur përpara Zotit. Po sitë bëhesh i tillë? Mesazhi qëndror i Biblës është krejtësisht i ndryshëm nga mënyra jonë e të menduarit. Ne mendojmë për suksesin. Mesazhi i Biblës na bën të heqim dorë prej suksesit dhe të pranojmë dështimin dhe varfërinë tonë. Mënyra e vetme për të ndryshuar gjendjen tonë të mjerë përballë Zotit është Ai vetë. Ai na bën të pasur. Apostulli Pal i shkroi kishës në Korint: „Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për shkakun tuaj, në mënyrë që me anë të varfërisë së Tij ju mund të bëheni të pasur“. (2 Korintasve 8:9)

Jezusi ishte tepër i pasur, por Ai hoqi dorë nga pasuria e Tij. Ai erdhi në këtë botë ku shkoi në kryq për të vdekur për varfërinë tonë përballë Perëndisë. Vetëm kështu mund të përjetojmë falje për mëkatet tona dhe pranim në familjen e Perëndisë. Jeta e Steve Jobs është një histori e madhe suksesi, por largimi i tij nga jeta na kujton kufizimet tona. Etja jonë për pasuri dhe sukses mund të qetësohet vetëm nga Ai që i dha gjithë pasurinë e Tij për ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *