E vërteta e 20 lekëshit fallco

Shtypi i ditës së sotme paralajmëronte njerëzit se është hedhur në treg nga keqbërës, një sasi e konsiderueshme monedhash falco me prerje 20 lekësh. U çudita në fakt sepse 20 lekëshi (apo 200 lekëshi i vjetër) nuk ka ndonje vlerë të konsiderueshme dhe për më tepër kostoja e prodhimit të kësaj monedhe besoj se i afrohet vlerës monetare reale që ajo mbart. As zyrat e postës nuk po pranonin më këto monedha.

Qysh nga lashtësia me krijimin e gjërave me vlerë lindën edhe gjërat kopje, fallco, pa vlerë. I shohim edhe sot kudo: bluza, çanta, ora, celularë dhe lista vazhdon e pafund. Por lista bëhet shqetësuese jo vetëm te çështjet materiale, por kur përmend çështjet shpirtërore. Nëse unë i besoj një feje apo një personi dhe mbështetem plotësisht tek ajo apo ai për shpëtimin e shpirtit tim pas vdekjes, dhe del se është fallco kjo është shumë më e rëndësishme se zotërimi i një ore fallco. Prandaj duhet të shqyrtoj me shumë imtësi bindjen time fetare.  A m’i ka falur Zoti mëkatet dhe a jam unë i gatshëm për të shkuar në qiell. Në fund të findit të gjitha fetë këtë kanë si synim: çuarjen e njeriut në qiell pas vdekjes. Po si arrihet kjo? Si do të më falë mua mëkatarin një Perëndi kaq i shenjtë që ndëshkon mëkatin? Nëse Ai më fal, a nuk bën kjo që drejtësia e Tij të mos jetë drejtësi sepse lë të pandëshkuar mëkatin? Jezusi dhe vdekja e Tij në kryq është përgjigja! Kur Ai vdiq, Ai mori mëkatet tona mbi veten e Tij dhe u ndëshkua për to. Ai vdiq në vendin tonë dhe prandaj Perëndia mund të na falë dhe përsësi të mbetet i drejtë sepse Ai e ndëshkoi mëkatin nëpërmjet Krishtit.

Artikulli rreth 20 lekëshave fallco përmendte një fakt tjetër interesant: që të kuptosh monedhat fallco duhet të njohësh shumë mirë ato që janë të vërteta.

Shqyrtimi i asaj që ka bërë Krishti  në kryq tregon se ka vetëm një udhë për te Perëndia dhe jemi ne ata që duhet të pranojmë atë që Krishti tha kur ishte mbi tokë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta, dhe askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet Meje”.

Zotërimi i një monedhe 20 lekëshe fallco nuk ndryshon aspak jetën tënde; tek e fundja nuk do i lësh bakshish kamarierit pasi ke pirë kafen e mëngjesit. Por zbulimi i besimit të vërtetë, atij që është sipas Perëndisë përcakton fatin tënd të përjetshëm. A e ke gjetur ti atë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *