Ardhja e foshnjës mbretërore

Më së fundi foshnja mbretërore erdhi. Kate dhe William u bënë prindër dhe e gjithë bota u gëzua së bashku me ta për ardhjen në jetë të foshnjës mbretërore. Mijëra prisnin me padurim përpara pallatit Bukingham për të marrë vesh lajmin e mirë dhe kur ai u shpall, britma gëzimi thyhen qetësinë karakteristike britanike.  “Lindi dhe është djalë!” – ishte lajmi. Tellalli doli dhe lexoi njoftimin që lehtësoi Britaninë që priste me padurim.

Më kujton ardhjen e një Mbreti tjetër. Askush nuk u kujtua për të kur Ai erdhi mbi tokë. Jo vetëm kaq, por nuk kishte vend në han për prindërit e Tij dhe ata u akomoduan në një stallë. Kur Ai erdhi, askush nga toka nuk e prishi terezinë. Por nga qielli një korr i madh engjëllor këndoi me zë të lartë duke shpallur lindjen e Tij: “Po ju lajmërojmë një gëzim të madh për të gjithë popullin: Sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. Disa barinj e dëgjuan njoftimin e tellallit qiellor dhe shkuan për të parë foshnjën, Krishtin. Kur e gjetën, ranë përmbys përpara Tij duke pranuar prejardhjen e Tij hyjnore. Dhe vetëm këta dhe askush tjetër. Kaq pak për Jezusin, për Shpëtimtarin hyjnor…

Të gjithë u gëzuan për ardhjen e princit britanik dhe i uruan atij jetë të gjatë. Në fakt, ky është urimi për të gjitha krijesat që vijnë në këtë botë: të gjithë urojnë që të kenë një jetë të gjatë. Sa ndryshe me foshnjën e ardhur dymijë vjet më parë. Krishti nuk erdhi për të jetuar, por për të vdekur, për të vdekur në vendin e gjithë njerëzimit dhe për të paguar për mëkatet e tyre. Prandaj engjëjt me të drejtë e quajtën Atë Shpëtimtar. I vetmi që mund të të shpëtojë me të vërtetë.

Falë teknologjisë së informimit, mbërritja foshnjës mbretërore të sapolindur është shpallja më e shpejtpërhapur të një lindjeje në botë. Globi brenda minutash e mori vesh mbërritjen e tij dhe u gëzua. Edhe Bibla thotë për Krishtin: “Erdhi në shtëpinë e Tij, por ata nuk e pranuan”. Por vazhdon: “Por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij”. Pranimi i Krishti pastron ndërgjegjen tënde nga fajet dhe mëkatet e tua dhe të afron me Perëndinë e shenjtë. Dhe jo vetëm kaq: Pranimi i Krishtit të fut në familjen mbretërore, jo atë britanike por atë hyjnore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *