Çfarë është në të vërtetë njeriu?

O ZOT, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh? Psalmi 144,3

Veç mendohu për të gjitha arritjet e njeriut! Suksesi i tij duket se mungon veç në shumë pak fusha të aktivitetit të tij. Dhe sa shumë veta kanë arritur famë dhe lavdi në jetë nëpërmjet aftësive të tyre të pashoqe. Por pavarësisht nga të gjitha këto, pas disa vitesh ata nuk janë më gjallë dhe në shumë raste harrohen.

Çfarë është në të vërtetë njeriu? Krijesë që prishet dhe kalon: këtu sot, por ndoshta i papra­nishëm nesër? Po pastaj ku do të gjendet?

Ndoshta ti i njeh disi sprovat e pleqërisë. Ndosh­ta të shqetësojnë vuajtjet për të cilat nuk ka shërim. Po të jetë kështu, atëherë e njeh plotë­sisht dobësinë njerëzore.

Tani një lajm mahnitës: Perëndia interesohet pikërisht për njerëz të tillë të mjerë dhe të dobët. Perëndia është aq i interesuar për njerëzimin, saqë Ai dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur për të sjellë shpëtim për racën njerëzore. Por ne nuk na karakterizojnë vetëm dobësia dhe kohë­zgjatja e shkurtër; mëkati ka lënë te ne vragë të përhershme. Pavarësisht nga kjo, Perëndia vep­roi për të na ndihmuar: «Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kush­do që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme» (Gjoni 3,16).

Perëndia i kushtoi vëmendje gjendjes në të cilën ndodheshin mëkatarët fajtorë. A nuk është ky mendim mahnitës? A mund ta kuptosh dome­thënien e tij? Kjo ia kalon mençurisë sonë. Kush jemi ne që në shenjtërinë dhe fuqinë e Tij Perën­dia të marrë parasysh nevojat tona? Fakti që ne nuk jemi lënë në mëshirë të fatit, vërteton hirin e Tij të pafund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *