
Edhe Krishti vuajti për ne, duke ju lënë një shembull…. Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit. 1 Pjetrit 2,21.24
Duke u shkruar besimtarëve, apostull Pjetri e paraqit Zotin Jezus si Atë që vuajti në mënyrë të patundur për hir të drejtësisë. Si i tillë Ai është shembull të cilin na bëhet thirrje për ta ndjekur. Prandaj ai shkruan: «Edhe Krishti vuajti për ne.» Duhet vënë re ndryshimi nga veta e parë në të dytën. Ajo që bëri Zoti Jezus, ishte për Perëndinë dhe për të Vetët. Tani varej nga ata që ta ndiqnin shembullin e Tij.
Sapo apostulli fillon të flasë për vuajtjet shpenguese të Krishtit në kryq, ai përfshin veten dhe shkruan: «mëkatet tona». Po vërtet, apostulli i madh ishte dikur mëkatar i humbur, mëkatet e të cilit duheshin shpenguar nëpërmjet flijimit të Krishtit.
Asnjë qenie njerëzore nuk ka lindur ndonjëherë si shenjt: «Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një…, sepse të gjithë mëkatuan» (Romakëve 3,12-23). Njerëzit kanë besuar gjithmonë se mund ta kënaqin Perëndinë nëpërmjet flijimesh dhe veprash të mira. Por gjithçka që ka origjinë njerëzore, ndotet nga «djersa» e përpjekjeve të njeriut.
Gjëja e vetme që mund ta kënaqë Perëndinë, është flijimi që ka bërë Ai Vetë: Qengji i Perëndisë. Nëpërmjet besimit në Atë, Simoni u bë Pjetër, Sauli u bë Pal. Nëpërmjet të njëjtit besim ti mund të bëhesh sot i dashur nga Perëndia dhe i thirrur shenjtor (shih Romakëve 1,7).