I humbur

Shumë herë si i vogël, në fantazinë time fëminore kam menduar të humbem. Doja të ikja ose më mirë të fshihesha dhe të shikoja se si do të reagonin pas “humbjes” sime. Të gjithë do të dilnin të më kërkonin kudo dhe kur të kthehesha do të më përqafonin, do të më mbysnin me puthje dhe do të më thonin se sa shumë më donin.
Një nga këto herët u largova, “humba”. Dhe pas një kohe që mua m’u duk shumë e gjatë, u ktheva. Isha i sigurt se nëna ime ishte shqetësuar, e tronditur nga mendimi se kisha humbur dhe po ndihej e vetmuar. Dhe sa u shfaqa, prita të gjithë të rendnin për të më përqafuar, por vura re se askush nuk e kishte vënë re se nuk isha, se kisha “humbur”. Shumë e çuditshme! Kjo gjë sjell një dimension të ri te “i humburi”: ai humb dimensionin e të qënit i humbur.

Shekuj më parë, dikush i quajtur Zake hyri në një turmë të madhe për të mos u vënë re. Ai donte të bashkohej me turmën, por shtati i tij i shkurtër nuk lejonte të përmbushte qëllimin pse ishte në turmë: të shihte atë që po vinte në qytet, Jezusin. Zakeu jo vetëm ishte i shkurtër, por edhe i përçmuar; ai ishte shef i zyrës së tatim-taksave në një shoqëri pothuajse analfabete gjë që i jepte shumë mundësi abuzimi dhe korrupsioni. Muri trupor po e pengonte Zakeun, prandaj ai zgjodhi një gjetje origjinale: një pemë pranë rrugës. Ai hypi në pemë dhe askush nuk e shihte atje sipër nga ku i shihte të gjithë.

Por aty në pemë Zakeu do të përjetonte ngjarjen jetëndryshuese. Mendonte se askush nuk e kishte vënë re “humbjen” e tij, deri në çastin kur Jezusi ndaloi pranë pemës së Zakeut. Jezusi shikoi lart dhe e thirri Zakeun të fshehur pas gjetheve. Jezusi e dinte emrin e tij. Zakeu i falimentuar moralisht, i shmangur shoqërisht merr një ftesë të çuditshme: “Zbrit poshtë se sot do të vij në shtëpinë tënde”. Dhe ashtu bëri. Në fund të kohës së tyre së bashku, Jezusi tha: “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur”. Kështu Jezusi e gjeti Zakeun.

Të kesh humbur do të thotë të jesh në vendin e gabuar dhe se dikush që e di se ku është vendi i duhur po të kërkon. Përpara se të takonte Jezusin, Zakeu ishte në vendin e gabuar. Ai kishte humbur, donte t’u fshihej turmave dhe të gjithë atyre përreth tij. Dhe kur Jezusi e gjeti, Zakeu nuk pati asnjë hezitim të zbriste nga pema. Ai donte t’i jepte fund lojës së arratisjes prej të tjerëve, arratisjes prej vetvetes, arratisjes edhe prej Jezusit. Zakeu mezi po priste ta gjenin! Po ti?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *