Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: «Ç’kërkoni?»

Zoti Jezus ua bëri këtë pyetje dy vetave që treguan interesim të qartë për Atë. Deri atëherë ata kishin qenë dishepuj të Gjon Pagëzorit, por pastaj kishin dëgjuar dëshminë e të zotit për Zotin: «Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë.» Ata kishin qenë të pranishëm kur Gjoni, plot respekt për Krishtin, kishte thënë për Atë: «Ja, Qengji i Perëndisë!» (shih Gjoni 1,29-37). Kjo u kishte prekur atyre zemrat dhe ata kishin vendosur qysh atëherë të ndiqnin Jezusin.

Zoti i pyeti: «Ç’kërkoni?» Kjo është pyetje së cilës duhet t’i përgjigjet secili prej nesh, pasi, në fund të fundit, ajo është pyetje për kuptimin e jetës dhe qëllimi drejt të cilit ecim. Sa ndryshojnë përgjigjet që njerëzit i japin kësaj pyetjeje! Sa shumë veta i shmangen përgjigjes së saj, nëse munden! Mendje të mëdha janë përpjekur ta kuptojnë atë dhe kanë nxjerrë teoritë e tyre filozofike. Por cili njeri mund t’u përgjigjet vetë këtyre pyetjeve që e kalojnë ekzistencën e vetë atij?

Dy dishepujt në këtë ndodhi vepruan si duhej. Ata pyetën: «Ku banon?» Ata nuk ia lejuan vetes të ngatërroheshin me pyetjen «Çfarë?», por treguan interesim për Personin. Ata e kuptuan se përgjigjen e duhur mund ta japë vetëm Pe­rëndia dhe se nevojitet një marrëdhënie personale me Atë. Se sa arritën të kuptonin ata në atë çast – këtë nuk e dimë. Sidoqoftë, zemrat e tyre u prekën dhe kjo u hapi atyre rrugën për ta njohur Atë si Birin e Perëndisë. Më vonë Pjetri shprehu të vërtetën në emër të dishepujve të tjerë: «Ne kemi besuar dhe e kemi njohur se ti je Krishti» (Gjoni 6,69)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *