Jo vetëm këtu

– Më thuaj, a beson në jetën pas lindjes? – e pyet binjaku binjakun në barkun e Nënës.
– Po, sigurisht! Ne këtu brenda rritemi dhe përgatitemi për atë që do të vijë më vonë, – iu përgjigj binjaku tjetër.
– Unë besoj se kjo që thua është e pakuptimtë, – thotë i pari. – Nuk mund të ketë jetë pas lindjes! Si do të dukemi ne?
– Unë nuk e di me saktësi. Por do të jetë me siguri shumë më e bukur se këtu. Dhe ndoshta ne do të ecim me këmbët tona, edhe do të hamë me gojë?
– Unë kurrë nuk kam dëgjuar të tillë marrëzi! Hahet me gojë? Çmenduri fare! A nuk është kordoni i kërthizës që na ushqen? Dhe si do të ecim ne të lidhur me kordonin? Ai është shumë shumë i shkurtër. Nuk është e mundur!
– Unë jam i sigurt se është e mundur. Vetëm se do të jetë pak më ndryshe.
– Ti je i çmendur! Si mund të ketë jetë pas lindjes? – thirri. – Ç’do të ndoshë me kordonin tonë, me mënyrën tonë të jetës këtu? Dhe për më tepër a ke folur ndonjëherë me ndonjë që ka lindur? Kush ka ardhur prej andej dhe është futur përsëri këtu ku jemi për të na treguar nëse ka jetë pas lindjes? Askush!
Ndërsa ai fliste, e pushtoi një valë dëshpërimi.
– Nëse qëllimi i ngjizjes dhe i rritjes sonë brenda ku jemi është të përfundojë në lindje, atëherë me të vërtetë jeta jonë është e pakuptimtë. – Ai u kap fort pas kordonit të tij dhe shtoi: Dhe nëse e gjitha kjo është kështu dhe jeta është një absurditet; nuk është e vërtetë se mund të ketë Nënë!”
– Po, ka një Nënë, – protestoi tjetri. – Kush tjetër na jep ushqim? Kush e krijoi këtë botë për ne?
– Ne e marrim ushqimin nga ky kordon dhe bota jonë ka qenë gjithmonë këtu, – tha tjetri. – Edhe nëse paska një Nënë – ku është ajo? E ke parë ti ndonjëherë atë? A ka folur ndonjëherë me ty? Jo! Ne e shpikëm Nënën kur ishim të vegjël, sepse idea e Nënës plotësonte nevojën tonë, na bënte të ndiheshim të sigurt dhe të lumtur.
– Unë e pranoj se askush nuk e di se si është jeta pas lindjes. Por unë e di se ne do të shohim Nënën dhe se ajo do të kujdeset për ne, do të na mbajë në krahët e saj.
– Nëna?? Vazhdon ti ende me idenë e Nënës? Ku është ajo?
– Ajo është këtu, kudo, rreth nesh. Ne jemi dhe jetojmë brenda saj dhe nëpërmjet saj. Pa të, ne nuk mund të ekzistojmë!
– Budallallëk me brirë! Unë kurrë nuk e kam ndjerë Nënën prandaj ajo nuk ekziston.
– Dëgjo, kur ne jemi shumë të qetë ti mund ta dëgjosh atë kur ajo këndon, ose të ndjesh dorën e saj kur e vendos mbi bark…
– Ehhhh… ia preu tjetri për ta mbyllur bisedën. Dhe kështu, ndërsa njëri e kishte humbur shpresën, tjetri vazhdoi ta linte veten në duart e Nënës së tij. Orët u bënë ditë, ditët javë dhe erdhi momenti i lënies së botës së tyre. Lindja ishte afër, por të dy kishin frkë nga e panjohura. I pari që qe ngjizur donte të dilte i pari…

Sapo lëkura i preku ajrin e thatë, me kollitje nxorri lëngun që kishte në gojë dhe filloi të qajë me të madhe. Kjo ishte jeta e vërtetë, ajo për të cilën ishin pregatitur për shumë kohë në barkun e Nënës! I vunë të dy në krahët e Nënës dhe ajo i admironte me dashuri bijtë e saj. Më së fundi ata ishin në shtëpi! 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *