Kush më preku?

Jezusi tha: «Kush më preku?» Mbasi të gjit-hë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: «Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin, dhe ti thua: “Kush më preku?”» Luka 8,45

Këtu ndodhej një grua që vuante nga një sëmundje e tmerrshme, e cila kishte çarë turmën për të prekur Zotin Jezus. Nevojtare dhe e mjerë, ajo shpresonte që Ai ta ndihmonte, dhe nuk u zhgënjye. Si Biri i përjetshëm i Perëndisë, Zoti e dinte me saktësi se kush e kishte prekur. Pavarësisht nga kjo, Ai e bëri këtë pyetje që ta bënte gruan të dëshmonte për rezultatin e fuqisë së Tij të mrekullueshme që ishte shfaqur në të. Krahas kësaj, asaj iu shërua plotësisht shpirti, jo thjesht gjendja e saj fizike.

Përreth Atij ndodhej një turmë e madhe njerëzish, të cilët e shtynin. Nuk ka dyshim që shumë prej tyre e kishin prekur; kështu që mund ta kuptojmë përgjigjen disi të zemëruar të Pjetrit. Duhet të ketë tingëlluar e çuditshme të pyesje «Kush më preku?» në mes të një turme të tillë. Sidoqoftë, një shqyrtim më nga afër i tekstit nxjerr në pah se pikërisht në çastin kur gruaja e preku Zotin, prej Atij u rrezatua fuqi. Pse ndikoi prekja vetëm te gruaja? A nuk ishin edhe të tjerët nevojtarë? Sigurisht që po! Por kjo grua e kishte prekur Atë me besim. Kjo ishte vendimtare.

Sa shumë veta jetojnë pas një sfondi krishterimi sot! Ata nuk e kanë «prekur» kurrë Zotin Jezus me besim, d.m.th. nuk e kanë pranuar Atë kurrë në zemrat e tyre. Ndoshta ti pretendon se jeton në një familje të krishterë. Po të mos kesh shkuar kurrë personalisht te Zoti Jezus me besim, për t’i rrëfyer Atij mëkatet e tua, atëherë Ai nuk mund të të shërojë: do të jesh i humbur, jo i shpëtuar. Prandaj të bëjmë thirrje të vish tek Ai sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *