Me Të unë eci

Si mund të jem shpesh aq naive sa të mendoj se është Ai që më lëshon dorën dhe jo unë që e lëshoj të Tijën, tamam si një fëmijë që mendon se nuk ka nevojë për ndihmën e prindit kur ecën?

Turrem në lirinë time shpesh, pa dorën e Tij që më mban, t’i bëj ballë çfarëdo lloj gjëje që dita më ofron. Shpesh ja dal, ose të paktën, kështu mendoj.
Por, e keni parasysh një prind që e sheh fëmijën tek rend vetëm dhe i  rri pas për ta mbrojtur, ndihmuar, edhe pse ai  ja ka lëshuar dorën? Pa e vënë re fëmija, prindi heq pengesat që i vogli të mos rrëzohet, është vigjilent gjithë kohën. Ndodh që edhe të lë disa pengesa, që fëmija kokëfortë të mësojë nga rrëzimet, të rritet.  Kështu edhe Perëndia, edhe pse ne shkëpusim dorën tonë nga e Tija, nuk na braktis kurrë, nuk na ndan nga sytë e Tij. Ai është pas nesh, sepse ne e kemi lënë pas. Por gjithsesi nuk na hakërrehet. Ai është vigjilent. Ai madje edhe na ndihmon, hap rrugët për ne, dhe ne e falenderojmë vetëm në darkë ‘për gjithçka ka bërë për ne gjatë ditës’. Mund të ndodh edhe të themi madje ‘Zot, faleminderit që më ke bërë kaq të zgjuar e të zotin sa mund t’ja dalë i vetëm problemeve të ditës!!’. Por, Ai ka qënë aty! Vigjilent! Sepse Ai nuk na lë. Edhe në ato raste kur në vullnetin e Tij të plotë rrëzohemi, Ai vjen me shërimin e Tij, jo për të na thënë ‘E sheh ç’ndodh kur vrapon vetëm?’ por për të na rithënë ‘Unë kurrë nuk të lë, të mbaj në dorën time. Mos e lësho!’
Ai që ka në dorën e Tij të gjithë botën: diellin, hënën, yjet, malet, lumenjtë, detet. Ai që ka në dorën e Tij gjithçka, këdo, kurdo, ofrohet të më mbajë në dorën e Tij, edhe mua, edhe ty. Mjafton që ne ta duam këtë, çdo ditë, çdo moment të ditës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *