Paqja e panjohur

Para disa ditësh u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare ish ushtaraku japonez Hiroo Onoda. Onoda u bë i famshmëm sepse ai mbeti në xhungël në një ishull të Filipineve deri më 1974 sepse ai nuk besonte se Lufta e dytë Botërore kishte mbaruar. Ai u bind për përfundimin e luftës vetëm kur një superior i tij gjatë luftës e takoi atë personalisht. Kur u kthye në Japoni, ai u prit si hero.
Gjatë luftës ai ishte oficer i zbulimit dhe kishte si qëllim organizimin e luftës guerrilase. Urdhërat e superiorëve të tij qenë që ai të mos dorëzohej, urdhër të cilit Onoda iu bind për afro tre dekada.
“Çdo ushtar japonez ishte i gatshëm të vdiste për vendin e tij, por si officer zbulimi, kishim urdhër të zhvillonim një luftë guerrilase dhe jo të vriteshim” – tha Onoda gjatë një interviste në 2010.
Edhe pse paqja ishte nënshkruar qysh më 2 shtator të 1945, Hiroo Onoda vazhdonte të ishte në pozicion armiqësor për rreth 30 vjet. Historia e Hiroo Ononës më kujton atë që është pozicioni ynë përballë Perëndisë. Për shkak të vdekjes së Krishtit, Perëndia vendosi paqen me njerëzit duke ua faluar atyre mëkatet, e megjithatë shumë prej tyre janë ende në pozicion armiqësor me Perëndinë. Bibla thotë se “Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit”. Dora e miqësisë së Perëndisë na është shtrirë ne të gjithëve dhe Ai mezi pret ta kapim. Paqja mes njerëzve dhe Perëndisë është vendosur; Perëndia e bëri paqen me anë të Jezu Krishtit. Jemi ne që tani duhet të bëjmë paqe me Perëndinë… dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *