
Dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku. Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi…. Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Fryti yt vjen tek unë.
Kënga e Këngëve 2,11-13; Osea 14,8
Pranverë! Pranvera më në fund po zgjohet dhe po fillon një jetë të re! Pas dimrit të gjatë është gëzim të shohësh gjethe dhe sythe të gjelbra. Pemët e mbushura me lule formojnë një pamje të mrekullueshme dhe njoftojnë afrimin e verës. Por lulëzimi nuk është i përhershëm; po të kishte qenë i tillë, do të na duhej të bënim pa frutat që i dëshirojmë aq shumë.
A nuk vlen i njëjti proces edhe për jetën njerëzore? A nuk do të na pëlqente të gjithëve të qëndronim të rinj, në mënyrë që ta gëzonim jetën plotësisht? Megjithatë, jeta duhet t’i nënshtrohet procesit të pjekjes, pasi, përndryshe, nuk do të japë fryte. Nga këto fryte mund të përfitojnë të tjerët, por përdorimi i tyre i parë është për Perëndinë. Kjo është arsyeja që çdo pranverë është një lloj thirrjeje e re ndaj nesh për t’ia kushtuar jetën tonë Perëndisë, sa ka ende kohë. Cilido që kthehet te Biri i Tij, Jezu Krishti, me besim, qëndron në një marrëdhënie me Atë si shermendi te hardhia. Kjo është mënyra e vetme për të dhënë fryte për Perëndinë. «Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë» (Gjoni 15,5).
Sa e pasur dhe plot bekime është një jetë që karakterizohet nga këto fjalë të shënuara prej profetit Osea: «Fryti yt vjen tek unë.» Për një jetë të tillë mund të thuhet se ka gjetur plotësim të vërtetë. Frytet e saj nuk kalben sipas proceseve natyrore: qëndrueshmëria e saj përpara Perëndisë shtrihet në përjetësi.