Po kthehem në shtëpi

U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por, kur ishte ende larg, i ati e pa me dhembshuri; u lëshua vrap, i ra mbi qafë dhe e puthi. Luka 15,20

Ky tekst është marrë nga tregimi i djalit plëng­prishës, i cili, pasi ishte zhytur në rrënim dhe varfëri, vendosi të kthehej tek i ati. Ai ishte larguar nga shtëpia i pasur, por tashmë u kthye si bari i mjerë derrash që ishte zhytur shumë thellë. Ndonëse vendimi i tij për t’u kthyer dhe për t’i rrëfyer me ndershmëri gabimet e tij ishte marrë në vend të huaj, hapat e fundit të udhëtimit të tij duhet të kenë qenë më të rëndat. Çfarë duhet të kishin menduar të gjithë shërbëtorët kur e kishin parë duke u larguar plot vetëbesim? Çfarë do të thoshte i ati kur ta shihte që po kthehej në shtëpi?

Të shqyrtojmë se çfarë bëri në të vërtetë i ati. Në vend që ta qortonte me fjalët «Mirë, tani që je kthyer, shko e lahu e vishu ca më mirë, e pastaj flasim,» ai vrapoi drejt atij, e përqafoi dhe e puthi. Ai kishte pritur për vite me radhë. Puthja e mirëpritjes ishte vula e dashurisë së tij për të. Ishte njëlloj sikur të thoshte: «Ti je im bir. Gëzohem që po të shoh përsëri!»

Kjo shëmbëlltyrë na tregon se si i trajton Perëndia ata që e pranojnë mëkatin e tyre dhe kthehen tek Ai me gjithë mjerimin e tyre. Ai nuk kërkon ndonjë përmirësim në sjelljen e tyre përpara se t’i pranojë ose t’u falë mëkatet. Perëndia del për t’i takuar, që ta bëjë më të lehtë rrugën e tyre drejt kthimit në besim, nëse ata nuk ngurrojnë përpara bërjes së hapit të fundit, nuk e shtyjnë kthimin e tyre ose nuk heqin dorë fare. Kjo është mënyra e Tij e mrekullueshme e trajtimit që Ai na bën ne. Sado të prishur, mëkatarë dhe të mjerë qofshim, Ai na pranon me krahë të hapur dhe na fal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *