Provimi dhe zëri i Zotit

Sezoni i provimeve në mos është kthyer, po kthehet në një kujtim të largët për mua. Gjithsesi, pesha e një provimi ende të pa shlyer më rëndon ende sot. Studimet i kam përfunduar prej gati tre vitesh tashmë, por neglizhenca në fillim kur ende isha studente dhe mungesa e kohës fizike dhe shkëputja e gjatë prej shkollës më tej kanë bërë që sot të kem të varur në qafë një provim që bllokon marrjen e diplomës. Kjo është arsyeja pse unë nuk mbaj zakonisht varëse, dy të rëndojnë qafën. 

Besomëni që në kushte të tilla kur presioni rritet ideja e të marrit të provimit me çdo kusht është tejet tunduese. Falë Zotit, deri më sot i kam rezistuar çdo tundimi të tillë. Me ndershmëri, ose fare! Zoti e di!
Para pak ditësh u paraqita sërish në sallën e provimit. Nuk dua të flas shumë se si shkoi provimi. Ajo çfarë doja të ndaja është çfarë ndodhi para ditës së provimit.
Më këshilluan të takoja profesorin personalisht pasi duke pasur vetëm një provim do të më ndihmonte. Çfarë më shkoi menjëherë ndërmend nuk ishte absolutisht studimi. Mendova thjesht: do t’i vijë keq, e do të më japë provimin ndoshta dhe pa u futur në provim fare. Dëshira për të marrë provimin korruptoi qëndrimin tim ‘të ndershëm’. Isha e gatshme ta merrja këtë provim, jo dhe me aq ndershmëri. Korruptimi i mëtejshëm i mendjes sime vazhdoi me mendimin se kjo nuk ishte dhe aq keq. Gjithsesi kjo ishte ndershmëri. Unë nuk do korruptoja materialisht askënd, as do kopjoja nga kurrkush. Jo! Unë thjesht mendoja t’ja hidhja lumit, lumit të rrëmbyer, pa shkuar as në breg të tij.
Trokita në derën e profesorit. Pritja ishte më e mirë nga ç’prisja. Thashë ç’kisha në plan të thoja. U tregova e ndershme. Ky provim ishte i vetmi që më kish mbetur dhe po më pengonte diplomën. Unë nuk e merrja dot vetë më, pra duhej të ma jepnin tashmë provimin.
Profesori me shumë qetësi tha vetëm dy fjali: Mëso këto gjëra dhe eja të mërkurën për provimin. Pastaj, flasim sërish.
Dola, e qetë dhe madje e qeshur. Të paktën dukej sikur kisha thyer një tabu. Atë të komunikimit me një professor që e tregojnë jo të komunikueshëm. Por, pastaj…u kujtova. Më tha gjë të mësoj? Po të mësoja do ta merrja domethënë provimin? Por, unë këtë e dija!! Unë kisha shkuar aty me shpresën që të merrja provimin pa mësuar!! Gjatë gjithë rrugës për në fakultet isha lutur për dy gjëra: që të arrija të përballesha me profesorin pa ndroje e frikë (lutje e përgjigjur) dhe të merrja një përgjigje definitive për varësen e varur në qafë, që ta hiqja më në fund. Lutje e përgjigjur edhe kjo, veç jo sipas mënyrës sime, jo ndershmërisë sime të korruptuar. Zoti, më dha një përgjigje dhe ajo ishte: Nuk është kjo mënyra! Kjo është sfida jote, lumi yt i rrëmbyer të cilin nuk mund ta kalosh aq lehtë!
Kur Ai më flet, dhe zemra ime e mendja ime është e hapur të dëgjojë e meditojë fjalën e Tij, unë jam e lumtur. Ai më foli!
Sigurisht, tashmë jam në ankth sërish, jam disi e stresuar. Sepse…do më duhet ndoshta të impenjohem e të studioj për provimin, gjë për mua jo e lehtë. Ndoshta do e kem dhe për ca kohë të varur në qafë këtë varëse…
Por, kalova një provim tjetër, për të cilin kisha kohë që lutesha:Të dëgjoja zërin e Tij, këshillimin e Tij dhe të kisha zemër e mendje që të mund ta pranoja çfarëdo që do të më thoshte, edhe pse mund të mos më pëlqente.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *