Pyetja

Ishte një periudhë kur djali im i madh bënte shumë pyetje. Gjithçka ishte “Pse?” dhe “Si?”. Aq sa na kërkonte që të ndalnim kalimtarët në rrugë dhe t’i pyesnim se si quheshin. Në fakt të gjithëve na pëlqen të bëjmë pyetje. Shumë herë kujtoj me nostalgji kohën kur pas leksionit ndalja profesorin dhe i thoja: “Kam një pyetje”. Ai, tashmë një mik imi edhe sot kur takohemi më përshëndet: “Një pyetje”.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusit iu bënë shumë pyetje. Disa pyetje ishin për ta zënë në kurth, ndërsa kishte të tjera që vinin nga një zemër e shqetësuar si “Çfarë duhet të bëj që të marr jetën e përjetshme”. Shpesh herë Jezusi iu përgjigj pyetjeve duke ia kthyer Ai vet me një pyetje. Herë të tjera, Ai pyeste dhe nuk priste një përgjigje.

Në orët e fundit të jetës së Tij, Jezusi bëri një pyetje shumë të vështirë dhe nuk mori një përgjigje të menjëhershme. Si Mateu ashtu edhe Marku paraqesin një pyetje që del nga zemra e thyer e Jezusit: “Perëndia im, Perëndia im përse më ke braktisur?” (Mateu 27:45-46, Marku 15:33-34). Ndoshta Ai vetëm sa e pëshpëriti këtë pyetje nga kryqi ku ishte varur dhe kalimtarët poshtë menduan se Ai po thërriste Elian, profetin. Ndoshta, si disa thonë Ai po citonte psalmet. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë pjesë në Ungjill që të thotë se u dëgjua një zë nga qielli, ashtu si u dëgjua te pagëzimi i Tij apo në malin e shpërfytyrimit. Asnjë nuk tha prej së larti: “Ky është Biri Im i dashur”. Vetëm errësirë. Dhe duket se Jezusi është lënë me pyetjen e Tij pa përgjigje.

Sot pas 2000 vjetësh prej asaj ngjarjeje ne përpiqemi t’i përgjigjemi asaj pyetjeje në vend të Perëndisë. Dhe çuditërisht përgjigjen nuk e gjejmë në Qiell por në tokë. Sa herë që i bëjmë pyetjen vetes “Pse Perëndia e ndëshkoi Jezusin në kryq?” dhe shohim njëri-tjetrin, kuptojmë se përgjigja jemi ne. Ai e ndëshkoi Jezusin për shkakun tim, për shkakun tënd. Jezusi u braktis që unë të mos braktisem kurrë prej Perëndisë… që kushdo që beson tek Ai të mos braktiset, por të ketë jetë të përjetshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *