Relativizëm: Mbaje besimin tënd për vete!

“Mbaj vendin tënd! – të thotë ai që beson në relativizëm. Për sa kohë që ti i mban mendimet e tua për vete, ne jemi në rregull”. Por a e mban relativisti vendin e vet kur ai thotë këto gjëra.

Imagjino sikur në një kryqëzim ka ndodhur një aksident me shumë makina. Të gjithë shoferët dalin nga makinat e tyre dhe fillojnë të gjithë, pa pranuar fajin e vet, të tregojnë variantin e tyre të asaj që ndodhi: “Ti dole para meje! A nuk e di se e kuqe do të thotë ndalo?! Isha unë që duhet të kaloja i pari!” Dhe ndoshta del ai që kishte fajin dhe thotë: “Ishte faji im. Po flisja në celular dhe nuk e pata mendjen.” Kur arrin policia, ajo mbledh të dhënat dhe deponimet e të gjithë pjesëmarrësve për të nxjerrrë të vërtetën. Diçka është e sigurt: ka pasur një aksident dhe e vërteta do të dalë pasi të vihen së bashku të gjitha deponimet!  

Ne jetojmë në një botë ku ekziston e vërteta objektive – ne vetëm duhet ta zbulojmë atë. Ne mbledhim provat, shqyrtojmë besueshmërinë e tyre dhe nxjerrim përfundime rreth së vërtetës. Gjithashtu mund edhe të përshkruajmë me përpikmëri të arsyeshme se si është e vërteta. (Ose mund edhe të përcaktojmë nëse fryti që sapo blemë është mollë apo limon, ose nëse vendimet e mëdha në jetë janë të drejta apo të gabuara ose nëse Perëndia është i vërtetë apo jo). Po të kishim kamera në çdo kryqëzim dhe kamera në çdo makinë do ta përcaktonim më thjeshtë se kush ishte shkaktari kryesor i aksidentit.

E vërteta është më tepër se të jesh i pranishëm në një aksident. Ajo ka një qenësi objektive. Ka një zbatim universal.

E vërteta është e vërtetë – edhe nëse askush nuk e di

E vërteta është e vërtetë – edhe nëse askush nuk e pranon

E vërteta është e vërtetë – edhe nëse askush nuk bie dakort me të

E vërteta është e vërtetë – edhe nëse askush nuk e ndjek

E vërteta është e vërtetë – edhe nëse vetëm Zoti e di të gjithën

Edhe pse disa oficerë policie nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht se kush ishte shkaktari kryesor në një aksident, e vërteta ka rëndësi. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur në çështje përfshihet jeta e njeriut – psh kur në aksident vdes një kalimtar – në këtë rast zbulimi i së vërtetës është themelor. Rrethanat serioze na kujtojnë se vështirësia e zbulimit të së vërtetës nuk është një justifikim për të mos e kërkuar atë.

Le të kthehemi te relativisti ynë. Ai thotë se meqë pikëpamja e të gjithëve të përfshirë në aksident është e ndryshme, ne nuk mund ta dimë të vërtetën. Dhe meqë nuk e zbulojmë dot të vërtetën, mund të themi se as aksidenti nuk ndodhi fare. Pyetjes së Pilatit “Çfarë është e vërteta?” relativisti i përgjigjet se çdonjëri ka të drejtë të vendosë se çfarë është e vërteta për të. Por Jezusi thotë se Ai është e vërteta për të gjithë dhe jo vetëm për mua si individ. Si do t’i përgjigjemi relativistit?

  • Nëse besimi im është i vërtetë vetëm për mua, atëherë pse nuk është besimi yt i vërtetë vetëm për ty? A nuk po kërkon relativisti që unë të besoj atë që ai beson?
  • Ti thua se asnjë besim nuk është i vërtetë për të gjithë, por nga ana tjetër do që të gjithë të besojnë atë që ti beson.
  • Ti po thua se relativizmi është i vërtetë dhe absolutizmi është i rremë. Ti nuk mund të thuash njëkohësisht se “Asgjë nuk është vërtetë” dhe nga ana tjetër “Vetëm pikëpamja ime është e vërtetë”. Relativizmi nxjerr vetveten të rremë.
  • Ti po i aplikon këtë pikëpamje të gjithëve por jo vetës tënde. Ti dëshiron të gjithë të besojnë atë që ti beson.

Atëherë pse duhet të të besoj unë ty? 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *