Tablloja dhe vajza e vogël

Shumë vite më parë në qytetin e vjetër të Dyseldorfit banonte një artist me emrin Stenburg. Dikush e kishte paguar të pikturonte një tabllo të momentit të kryqëzimit të Jezusit. Stenburgu po e pikturonte tabllonë, jo nga dashuria për Krishtin, por sepse donte të bëhej i famshëm dhe i pasur.
   Një mëngjes të bukur, Stenburgu po shëtiste në parkun pranë shtëpisë së tij, kur pa një vajzë të vogël që po thurte shporta buzë rrugës. I mahnitur nga bukuria e vajzës, e ftoi atë të pozonte si një modele të një vallëtareje spanjolle që po pikturonte. Ai ra dakort me Pepitën që ajo të vinte tri herë në javë në studion e tij për të pozuar.
   Në kohën e caktuar, Pepita erdhi te studioja e piktorit. Me sytë e saj të mëdhej, plot kuriozitet ajo po vëzhgonte gjithçka që ishte në studio. Vajza u habit shumë kur pa tabllotë e piktorit. Por sytë e saj mbetën te tablloja më e madhe e quajtur “Kryqëzimi”.
– Kush është Ai? – pyeti vajza e mahnitur.
– Është Krishti, – u përgjigj Stenburgu me mospërfillje.
– Çfarë po i bëjnë Atij?
– Po e kryqëzojnë.
– Po këta njerëzit e tjerë kush janë?
– Shiko këtu! Nuk mund të të përgjigjem, sepse po punoj! Prandaj mos lëviz më!
   Vajza nuk guxoi të lëvizë më, por sytë e saj mbetën të mbërthyer te piktura. Sa herë që vinte në studio, habia e saj për pikturën e Krishtit të kryqëzuar shtohej gjithnjë e më tepër.
   Një ditë ajo pati guxim të pyesë artistin për diçka që mezi priste të merrte vesh.
– Pse po e kryqëzojnë Atë? Kaq i keq ishte Ai?
– Jo, Ai ishte shumë i mirë, – u përgjigj Stenburgu.
   Kjo ishte gjithçka që mësoi vajza e vogël atë ditë, por çudia e saj, në vend që të vanitej, u rrit edhe më tepër. Pas disa ditësh ajo filloi përsëri të pyesë artistin për pikturën e madhe. Stenburgu i bezdisur i tha:
– Do ta tregoj se çfarë ka ndodhur, por pastaj nuk dua më pyetje!
   Stenburgu i tregoi Pepitës së vogël historinë e kryqit, se si Jezusi u gozhdua atje në vend të gjithë njerëzve, për shkak të mëkateve të të gjithë njerëzve dhe pagoi borxhin që të gjithë ne njerëzit mëkatarë pa përjashtim, kishim te Perëndia i shenjtë. Ai u ndëshkua në vendin e njerëzimit. Pepita nuk e kishte dëgjuar kurrë historinë e kryqëzimit, edhe pse ishte e vjetër për artistin. Ai mund ta pikturonte tërë atë vdekje të dhembshme, pa i luajtur asnjë nerv. Por nuk ishte kështu për vajzën e vogël. Zemra e saj u pikëllua dhe sytë iu mbushën me lot.
   Erdhi edhe dita e fundit. Pepita po qëndronte përballë tabllosë me sytë e ngulur te Krishti i kryqëzuar dhe nuk donte të largohej.
– Ja, – i tha artisti – këto janë paratë e tua. Ke edhe më tepër bile.
– Shumë falemnderit mjeshtër, – u përgjigj Pepita dhe duke u kthyer nga tablloja shtoi: – Kushedi sa shumë e do ti Jezusin, meqë Ai ka bërë kaq shumë për ty? Apo jo?
   Stenburgu mbeti pa fjalë. Pepita me kokën ulur la studion për të mos u dukur më. Por fjalët e saj u ngulën si shigjetë në zemrën e piktorit. Ai nuk mund t’i harronte dot. “Kaq shumë për ty” kumbonte në veshët e tij. Ai e dinte se nuk besonte tek Ai që u kryqëzua për të dhe se feja nuk i jepte paqe shpirtit të tij të trazuar. Stenburgu e kuptoi se Jezusi u var në kryq dhe “kishte bërë gjithçka”, ashtu siç tha Pepita, për mëkatet e gjithë njerëzve dhe se ai vet, edhe pse ishte fetar ishte një mëkatar. Prandaj Krishti kishte vdekur edhe për mëkatet e tij. Stenburgu u pendua për mëkatet e veta dhe besoi te Krishti se vetëm Ai mund ta falte. Artisti pranoi me besim dashurinë e Perëndisë në Krishtin dhe mund të thoshte: “Ai më deshi dhe dha veten e Tij për mua!”
   Piktori donte tani që të gjithë të njihnin dashurinë që Perëndia kishte për ta. Por si mund ta bënte këtë? Pa pritur u kujtua. Ai mund të përdorte penelin. Prandaj ai shkriu gjithë talentin e tij te tablloja e kryqëzimit që u bë piktura e tij më e njohur. Ajo u vendos përbri punimeve të piktorëve të tjerë të famshëm në galerinë e Dyseldorfit. Stenburgu shkroi poshtë pikturës: “Unë bëra gjithçka për ty! Çfarë ke bërë ti për Mua?”
   Një ditë Stenburgut, i zunë sytë Pepitën që po qante përballë pikturës.
– Oh, mjeshtër! Ah sikur Jezusi të më donte edhe mua kaq shumë! – qante vajza.
   Artisti i tregoi asaj se Jezusi kishte vdekur për të gjithë njerëzit, pra edhe për Pepitën, për të pasurit dhe për të varfërit. Ai nuk u bezdis aspak nga pyetjet e saj dhe donte t’i tregonte vajzës që mezi priste të dëgjonte për dashurinë e Krishtit. Pepita pranoi Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtarin e saj dhe u shpëtua duke gëzuar në dashurinë e mrekullueshme.
   I dashur lexues, përballë kësaj dashurie kaq të madhe që Perëndia tregoi për ne, përgjigja jonë e vetme duhet të jetë pranimi i saj. A e ke kuptuar se Zoti Jezus te do aq shumë sa dha jetën e Tij për ty? Prano sot dashurinë e Tij dhe lejo që të ndryshojë jetën tënde!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *