Thesari i Purpurtë i Beratit

Patmos, Greqi. Mesjetë. Një grup kryqëtarësh frank nga Shampanja në veri-lindje të Francës  në udhëtimin e tyre drejt Jerusalemit ndalojnë në ishull. Ndërsa janë në atje ndeshen me një thesar. Përpiqen ta marrin, po çuditërisht u shpëton nga duart. Pas kësaj periudhe thesari udhëton drejt tokës së Arbërit.

Berat 1356. Trupat serbe të Car Uroshit hyjnë në qytetin e braktisur, një nga qendrat kryesore të zhvillimit të Arbërit. Ata kanë një qëllim të saktë – gjetjen dhe marrjen e thesarit. Në mes të kësaj situate të vështirë, meshtari Skuripeqi dhe murgu Theodhulos me ndihmën e zonjës Konteshë ngarkuan në 27 thasë thesarin e vyer dhe e fshehën. Trupat serbe fatmirësisht nuk arrijnë ta fusin në dorë thesarin.

Lufta e I-rë botërore. Forcat austro-hungareze pushtojnë Beratin dhe rrethinat e tij dhe përdorin të gjitha mjetet, që nga premtimet joshëse dhe deri te kërcënimet kundër fisnikëve të kalasë, për të treguar vendin e fshehtë ku mbahej thesari. Me mbarimin e luftës trupat austro-hungareze tërhiqen; ato nuk kanë thesarin e shumëkërkuar me vete.

Viti 1943. Forcat gjermane marrin një urdhër shumë të saktë: të marrin në zotërim arin e Bankës së Shqipërisë dhe thesarin më të çmuar të qytetit të Berat. Forca speciale arrijnë në Berat, rrethojnë kishën në kala dhe kërcënojnë me jetë murgjit të tregojnë vendndodhjen e thesarit. Murgjit e kishin ndjerë rrezikun më përpara dhe e kishin fshehur thesarin në një pusetë të thatë. Asnjëri prej tyre nuk tregon dhe gjermanët kthehen në Tiranë duarbosh.

Tiranë. Viti 1967. Prof. Aleks Buda mëson nga Nasi Papavli nga lagja Mangalen e Beratit, biri i një prej priftërinjve se thesari është ende i fshehur te puseta e thatë pranë Tryezës së Shenjtë. Pas shumë vitesh errësire, thesari sheh dritën e diellit dhe bëhet pronë Shtetit shqiptar.

Cili është ky thesar? Kaq e madhe është vlera e tij saqë shumë ushtri të huaja ishin kaq të interesuara?

Thesari quhet Kodiku i Purpurtë i Beratit apo në gjuhën e shkencës Codex Purpureus Beratinus  Ф. Kodikët ishin librat e lashtësisë – fletë pergamene të lidhura së bashku ashtu si lidhen librat sot.  Kodiku i Beratit do të përmendej për herë të parë nga studiuesi francez Pjer Batifoli, gjatë vizitës nëpër kishat e Beratit në vitin 1865 ku do të mbesë i mahnitur nga zbulimi i këtyre kodikëve të vjetër kishtarë. Batiffoli do ta pagëzojë librin e lashtë me emrin Codex Purpurus Beratinus Ф dhe sot njihet si Beratinus-1.

Beratinus-1 është nje nga kodikët më më të vjetër në të gjithë botën (dy të tjerët, po të shek. V-të dhe VI-të pas Krishtit janë në Rusi) dhe daton rreth gjysmës së parë të shekullit të gjashtë pas Krishtit. Ai përmban dy ungjijtë e parë të Dhiatës së Re: atë sipas Mateut dhe Markut. Kodiku është shkruar me dorë dhe përbëhet nga 190 fletë pergamenë të ngjyera në të kuqe të theksuar që i kanë dhënë edhe emrin “të purpurtë”. Është shumë interesante të vihet re se boja e përdorur për të shkruar fjalët ka ngjyrë të artë dhe të argjendtë. Besoj se të gjithë lexuesit përgjatë shekujve kanë mbetur të mahnitur kur kanë lexuar ungjijtë – atë që tha dhe bëri Jezu Krishti – me shkronja të arta në një sfond të kuq flakë.

Nga mesi i këtij Kodiku ne lexojmë se Jezusi tha për veten e Tij: “Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve”. Le të shqyrtojmë vetëm pjesën e fundit të kësaj thënieje: “për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve”. Pse duhet ta jepte Ai veten e Tij dhe ç’do të thotë “çmim për shpengim”? Në faqet e para të këtij Kodiku Jezusi thotë se veprimet tona nuk kanë rëndësi vetëm përpara njerëzve, por mbi të gjitha përpara Perëndisë. Lexojmë te Beratinus-1: «Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: “Mos shkel kurorën”. Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet». Duket qartë se Jezusi quan me të njejtën emër si shkeljen e kurorës, ashtu edhe vetëm mendimin për të. Dhe kjo na bën të gjithëve shkelës, mëkatarë. Nuk ka shumë nevojë të shohim rreth nesh që të kuptojmë se njerëzit janë mëkatarë; mjafton të hedhim një sy brenda nesh. Nëse jemi të ndershëm me veten tonë, menjëherë kuptojmë se ne jemi mëkatarë. Dhe jo vetëm jemi mëkatarë, por kemi krijuar vartësi prej mëkatit. A mund të rrimë qoftë edhe një ditë pa pasur mendime të këqija, pa thënë një fjalë të keqe apo pa bërë diçka të keqe. Nuk jemi ne që zotërojmë të keqen, por e keqja na ka zotëruar ne. Jezusi e quan këtë “marrje peng” nga mëkati dhe ne kemi nevojë të shpengohemi.

Nga pjesë të tjera të Biblës mësojmë se Perëndia, si një gjykatës i drejtë duhet t’i ndëshkojë shkeljet e njerëzve dhe se ndëshkimin për mëkatin është vdekja – ndarja nga Perëndia. A mund një Perëndi i shenjtë të pranojë në praninë e Tij njeriun ashtu siç është, mëkatar dhe fajtor? Aspak! Prandaj duhet dikush që të paguajë në vendin tonë. Kodiku i Purpurtë vazhdon  me historinë e Krishtit të kryqëzuar në vendin tonë. Ai dha jetën e Tij me qëllim që Perëndia t’ua falë mëkatet njerëzve. Ai pagoi për ne, në vendin tonë. Ky është kuptimi i asaj që Krishti paratha se do të jepte jetën e Tij. Vdekja e Krishtit jo vetëm përmbushi drejtësinë e Perëndisë për mëkatin, por gjithashtu bën të mundur çlirimin nga vartësia e tij. Perëndia na çliron nga vartësia e mëkatit kur ne pendohemi dhe besojmë te Krishti. Ne nuk jemi më peng i mëkatit, sepse Krishti e dha jetën e Tij për të na shpenguar.

Kodiku i Purpurtë i Beratit është një thesar i vyer i trashëgimisë sonë kulturore, por mesazhi që ai përmban bëhet jetëndryshues kur unë pranoj se jam një mëkatar, pendohem për mëkatet e mia dhe pranoj Zotin Jezus në jetën time. A e kam bërë unë këtë? Cila është përgjigja ime ndaj dashurisë së Perëndisë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *