Titaniku dhe unë

U mbushën 100 vjet nga udhëtimi i parë i titanikes, së jashtëzakonshmes dhe krenarisë së linjës britanike Star White. Ajo ishte e gjatë 269 metra, e gjërë 28 metra dhe peshonte gati 50.000 ton; ajo ishte anija më e madhe e kohës. Me dy helikat e saj 38-tonëshe dhe një të tretë në qendër, ajo mund të udhëtonte pa problem më shpejt se 40 km në orë. Katër oxhaqet që nxirrnin tymin e 29 kaldajave qymyri qenë aq të gjerë sa dy trena mund të kalonin mes tyre pa u prekur.

Arredimi i saj ishte sipas modës së fundit; asgjë nuk mund të krahasohej me elegancën e saj absolute. Emri i saj – TITANIK – vinte nga Titani, perëndia i diellit në Greqinë e lashtë.

E mërkurë, 10 prill 1912, ora 11:45  Me një sirenë shpërthyese Titaniku i njoftoi kapitenerisë së portit të Southamptonin në Angli se po niste udhëtimin e saj të parë drejt Nju Jorkut. Si kapiten ajo kishte E. J. Smithin, i cili kishte drejtuar më parë shtatëmbëdhjetë anije të tjera të linjës Star White. Nëse pasagjerët donin të kishin kapitenin më të zotë që mund të ekzistonte, ai ishte kapiten Smithi. Ndërtuesit e anijes kishin deklaruar se anija është e pambytshme. Ajo kishte një fund të dyfishtë dhe gjashtëmbëdhjetë ndarje hermetike për të penguar ujin të futej në anije. “As vetë Zoti nuk e mbyt dot” – komentuan disa nga të ekuipazhit. Në mendjen e tyre Titaniku kishte emrin që meritonte.

Askush nuk e imagjiononte dot se ajo po fillonte udhëtimin e saj të parë dhe të fundit. Titaniku, me gjithë shkëlqimin e saj po nisej drejt takimit me vdekjen. A ka ndonjë mësim për mua? Perëndia thotë: “Mos u mburr me të ardhmen sepse nuk e di se ç’do të të sjellë”. Nëse takimi im me vdekjen do të jetë sot në darkë, ç’do të ndodhë me mua? Ku do të shkojë unë? Me Perëndinë apo larg Tij? A mund një Perëndi i shenjtë të pranojë një mëkatar si unë? A mund të më pranojë Ai mua me gjithë mendimet, fjalët dhe veprimet e këqija?

Për katër ditë në det të gjithë pasagjerët përjetuan diçka unike. Askush tjetër deri atëherë nuk e kishte përshkuar Atlantikun në këtë mënyrë! Asnjë dridhje, asnjë zhurmë prej motorëve gjigandë, një komoditet i pashoq. Si Titani i deteve, ajo çante dallgët dhe ngjallte te ekuipazhi dhe pasagjerët një krenari të pashoqe. Asnjë anije nuk kishte pasur kaq shumë milionerë në bord. Ishte një udhëtim për t’u mbajtur mend gjithë jetën.

Deti ishte vaj atë mbrëmje të së dielës dhe Titaniku po lundronte me gjithë shpejtësinë. Por diçka ishte kundër saj: një erë e ngrohtë kishte shkëputur një masiv akulli nga Groenlanda dhe po e shtynte drejt jugut. Nuk kishte puhizë që akulli në lëvizje të krijonte në det shkumën fosforeshente që mund të shihej kilometra larg dhe për më tepër ishte një natë pa hënë. Filipi, përgjegjësi i radiolidhjes kishte marrë pesë paralajmërime për akuj që po pluskonin drejt rrugëve detare. Po Titaniku nuk e prishi rehatin e saj dhe i injoroi. Shumë sot janë si Titaniku. Ata bëjnë veshin shurdh ndaj thirrjeve të Zotit për të parë rrezikun që u kanoset. Po ti?

E diel, 14 prill 1912. 23:40. Nga kulla e vrojtimit, sytë e marinarit Flit ishin përqëndruar larg, aty ku bashkohej horizonti i errët me qiellin plot yje. Titaniku po marshonte me gjithë shpejtësi duke lënë pas një fjollë të badhë. Papritur u shfaq… Marinari e pa… “Akull përpara!” – bërtiti me sa kishte në kokë. Murdoku, oficeri i parë i kumboi timonierit: “Djathtas me gjithë fuqinë” pastaj uli levën e mbylljes së dhomave hermetike. Por ishte shumë vonë – një fërgëllimë ogurzezë përshkoi anijen ndërsa një thep i madh i akullit hapi një të çarë poshtë vijës së ujit në anën e përparme djathtas. Anija kishte lundruar 880km për të takuar fundin e saj. Dy orë e dyzet minuta më vonë, në 2 e 20 të mëngjesit të 15 prillit, ajo do të ngrinte pupën e saj si për të përshëndetur Atlantikun që e përpiu të gjithën. E shtrenjta dhe “e pambytshmja” Titanik u kroll në varrin e ujtë i thellë katër mijë metra. Jeta e saj e shkurtër na sjell ndër mend jetën tonë. Bibla na kujton se edhe “ne ikim shpejt si anijet prej xunkthi” dhe “se ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet”. Nuk kishte varka shpëtimi për të gjithë! Dëgjo dëshminë e një të mbijetuari: “Askush nuk do të harrojë deri sa të vdesë thirrjet e dhimbshme të vdekjes, rënkimet dhe vajtimet e të mjerëve, klithmat e tmerrshme dhe gulçimat e atyre që ishin në gahmat e fundit”. Gjashtë orë më vonë, i mbijetuari i fundit u mor në kuvertën e Karpathias. Vetëm 705 të shpëtuar, më shumë se 1500 të humbur në ftohtësinë e thellësisë së Atlantikut. Më shumë humbën se shpëtuan! Sa e ngjashme kjo me gjendjen shpirtërore të njerëzve sot! Por ndryshe nga Titaniku, Perëndia dërgoi një “varkë shpëtimi”, një Shpëtimtar për të gjithë ne dhe ky është Krishti. Jeta jonë nuk është aspak në rregull dhe të gjithë po shkojmë drejt humbjes dhe shkatërrimit. Prandaj Krishti erdhi për të na shpëtuar. Duke vdekur në kryq për mëkatet tona, Ai pagoi borxhin tonë dhe bëri të mundur faljen e mëkateve tona. Krishti erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur, ne të gjithë. Edhe ty! Me një akt pendimi dhe besimi te Krishti, ti merr faljen e mëkateve dhe jetën e përjetshme.

Disa ditë pas tragjedisë në zyrën e kapitenerisë së portit të Nju Jorkut u përpiluan dy lista të gjata: njëra për të humburit dhe tjetra për të shpëtuarit. Nëse sot Perëndia përpilon listat e tij, te cila listë do të jetë emri yt?

Titaniku ka shumë për të na mësuar edhe pas 100 vitesh dhe unë i pari duhet të mësoj nga historia që filloi lavdishëm, por pati një përfundim të tmerrshëm. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *