Unë jam ringjallja dhe jeta

Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjalljen e jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit. Gjoni 5,28-29

Miliona njerëz e hedhin poshtë ringjalljen e të vdekurve; megjithatë, vdekjes i druhen vetë. Pse? Jo ngaqë vdekjen shpesh e paraprin një periudhë vuajtjesh, por ngaqë ndërgjegjja u thotë se pas vdekjes vjen gjykimi, koha kur duhet të japim llogari për jetën tonë para Perëndisë. Ky është mësim i Biblës, dhe në orën e vdekjes argumentet më të mira të ateistëve shemben krejtësisht.

Para disa vjetësh një profesor francez kërkoi që kufomën e gruas t’ia ruanin në gjendje të ngrirë, duke besuar se shkenca do të zbulonte një proces nëpërmjet të cilit qelizat e trupit të ruajtura në këtë mënyrë do të ktheheshin në jetë. Por jeta nuk përbëhet veç nga ekzistenca e mirëfilltë e qelizave dhe nga funksioni i tyre fiziologjik. Profesori francez nuk mori parasysh faktin se e shoqja kishte vdekur ngaqë shpirti i ishte larguar nga trupi.

Shpirti nuk mund të kapet si peshku dhe të ruhet si ushqim i ngrirë. Ai është i pavdekshëm dhe, siç na njofton me autoritet Fjala e Perëndisë, duhet të presë çastin kur zëri i Birit të Perëndisë t’i zgjojë njerëzit për të ardhmen që u kanë caktuar vetes kur ishin gjallë në tokë. Njeriu duhet të vdesë ngaqë ka mëkatuar. Megjithatë, sa është gjallë, ekziston ende mundësia e faljes.

Jezusi i tha Martës: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë, do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?» (Gjoni 11,25-26). A e beson këtë? Kjo përcakton vendin tënd në përjetësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *