Zotëri, duam të shohim Jezusin. Gjoni 12,21

Këtë kërkesë ia bënë Filipit disa grekë në Betsaidë. Grekët e atëhershëm i përkisnin një populli që kishte dijeni për gjëra që kishin të bënin me mençurinë dhe bukurinë, si shkenca dhe arti. Sa orë të gëzuara duhet të kenë kaluar njerëzit e përmendur në vargun e sotëm duke u kënaqur me këto gjëra! Por pastaj dëgjuan për Personin e shquar, Zotin Jezu Krisht. Ç’mund të kenë dëgjuar për atë Njeri me emrin Jezus? Fjalë për mirësinë e Tij, shenjtërinë e Tij, nder­shmërinë e Tij? Apo për mençurinë e Tij, diturinë e Tij dhe njohuritë e Tij për të vërtetën? Apo për mrekullitë që kreu? Këtë nuk mund ta dimë. Ne dimë vetëm kërkesën e tyre: «Zotëri, duam të shohim Jezusin.»

Ata mund ta kenë njohur madhështinë dhe bukurinë e atdheut të tyre, por e ndien: Jezusi ia kalonte gjithë kësaj. Nuk është e nevojshme të ndodhesh në varfëri të thellë a në burg për krime të kryera, në mënyrë që të ndiesh nevojën për Jezusin. Dikush mund të vijë nga një familje e moralshme dhe e kulturuar, e megjithatë të ketë një dëshirë të zjarrtë për të takuar dhe njohur Jezu Krishtin.

As arti e as shkenca nuk na çlirojnë nga mëkati dhe faji, nga gjykimi dhe vdekja. Këtë mund ta bëjë vetëm Jezu Krishti. Është ende e mundur ta takosh Atë, madje sot! Na duhet vetëm të lexojmë Biblën: aty gjejmë gjithçka që duhet të dimë për të hyrë në një marrëdhënie personale me Atë. Ai, Biri i përjetshëm i Perëndisë, u bë Njeri, në mënyrë që të mund të vdiste në kryq për mëkatarët. A e di se je mëkatar? A e ndien nevojën e Shpëtimtarit në zemrën tënde? Atëherë lexo Fjalën e Tij! Atje do ta gjesh Atë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *