
Kërkojeni Zotin sa mund të gjehet, thirreni sa është afër. Ja, pra, tani është koha e pëlqyer; ja, pra, tani është dita e shpëtimit. Isaia 55,6; 2 Korintasve 6,2
Ka njerëz që janë të aftë t’i shmangen mbajtjes së një pikëpamjeje, shprehjes së një mendimi a marrjes së një vendimi. Ata besojnë se duke vepruar kështu ruajnë pavarësinë e tyre dhe qëndrojnë asnjanës. Ata janë mjeshtër në marrjen e një qëndrimi pritës, duke mos e lejuar kurrë veten të zihen ngushtë ose duke shmangur çdo rrezik.
Kjo mund të duket mençuri përsa u përket gjërave të jetës, por, kur shtrohet çështja e shpëtimit të përjetshëm, është marrëzi e mirëfilltë. Të mos vendosësh këtu dhe tani do të thotë të marrësh përsipër rrezikun më të madh. I dashur lexues, a e ke mbajtur qëndrimin tënd në anën e Jezu Krishtit. Ai Vetë tha: «Kush nuk është kundër nesh, është me ne» (Luka 9,50). Në çështjen e qëndrimit tonë ndaj kryqit të Krishtit, ku Biri i Perëndisë vdiq për mëkatet tona, nuk mund të ketë qëndrim asnjanës.
Të mos thuash «Po» ose «Jo» është në të vërtetë njëlloj sikur të thuash «Jo».
A mund ta merrni me mend një celebrim kur nusja nuk pranon t’i japë përgjigjen përfundimtare pyetjes nëse do të martohet me burrin në fjalë. Mospranimi për të dhënë pëlqimin e saj do t’i jepte fund ceremonisë. Pavarësisht nëse flet me zë të lartë a me druajtje, ajo duhet ta japë pëlqimin e saj.
Për të hyrë në një marrëdhënie të gjallë me Shpëtimtarin Jezu Krisht nevojitet një pohim po aq i vendosur i pranimit të Personit dhe i veprës së Tij. Ky është vendim për të cilin nuk do të të vijë keq kurrë. A nuk do ta marrësh tani?